Site icon PrishtinaPress

AGK u bën thirrje mediave që të dalin nesër në protestë kundër vendimit për Klan Kosovën

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) u ka bërë thirrje gazetarëve, kameramanëve e fotoreporterëve, si dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile, që t’i bashkohen protestës së nesërme.

Protesta e cila do zhvillohet nesër me fillim nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, sipas AGK-së po mbahet në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës fton kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, t’i bashkohen protestës nesër në orën 12:00, në Sheshin Zahir Pajaziti”- thuhet në njoftim.“Demokracia vdes në errësirë”, është motoja e protestës së thirrur nga AGK-ja.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka informuar se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë të premten vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”.

MINT ka potencuar se vendimi i komisionit e përmbyll këtë rast brenda ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

Vendimi i Komisionit, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka konstatuar se ARBK-ja, në shkallën e parë ka vendosur në përputhje me ligjin kur e ka pezulluar certifikatën e biznesit të Klan Kosovës.

Rreth këtij rasti ka pasur reagime të shumta.

Të shqetësuara për këtë rast janë shprehur vendet e QUINT-it: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Franca.

Exit mobile version