Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që të formojë një qëndrim rreth Ligjit të ri të Komisionit të Pavarur për Media.
Në reagimin e lëshuar thuhet AGK-ja i ka ndjekur me interesim reagimet pas miratimit javën e kaluar të Ligjit për KPM-në, nga shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
“Shqetësimeve të AGK-së, i janë bashkuar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe shumë prej përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë, duke vënë në pah që ligjin nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Evropës”.
“AGK-ja, kërkon nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani – Sadriu, që të formojë qëndrim rreth këtij ligji dhe ta ndajë atë me publikun dhe të mos kufizohet vetëm tek roli i saj formal i dekretimit të ligjeve. Mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht”, thuhet në reagim.