Site icon PrishtinaPress

AGK alarmohet me gjuhën e Zotëriut të Parë: Sulmet e tilla shtojnë pasigurinë e gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka dënuar sulmet e Zotëriut të Parë, bashkëshortit të Presidentes Vjosa Osmani ndaj mediave e gazetarëve.

AGK thotë se është alarmuar me gjuhën e përdorur nga Prindon Osmani.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale””, thuhet në reagim.

Akuzat dhe sulmet e tilla, AGK-ja thotë se e shtojnë pasigurinë e gazetarëve në vend.

“Akuzat dhe sulmet që vijnë nga bashkëshorti i Presidentes, që gjithashtu mban post shtetëror në MPJ, shton pasigurinë e gazetarëve në Kosovë. Po ashtu, në ditët e fundit edhe gjuha e zëdhënësve dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet në raport me mediat ka qenë e papranueshme dhe paraqet presion direkt në punën e tyre”, thotë AGK.

Prindon Osmani mbrëmë i quajti ndërmarrje kriminale mediat që raportuan për kompensimin e shpenzimeve të deputetëve për udhëtim, ku përfshiheshin edhe ato të Presidentes Vjosa Osmani, në kohën kur ajo ishte deputete.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu të martën në Facebook.

Exit mobile version