Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka inspektuar Telekomin e Kosovës, pasi kjo ndërmarrje ka vendosur që tre javë sistemin e njohjes me sy për identifikimin e hyrje-daljeve të punëtorëve.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, AIP tha se më 22 prill janë takuar me zyrtarët e Telekomit, dhe “të njëjtit nuk kanë konfirmuar se këto aparate përpunojnë të dhëna biometrike”.
Por, për të verifikuar këtë lloj të përpunimit të të dhënave, më 29 prill, zyrtarët e inspektimit të kësaj agjencie, kanë kryer inspektime dhe në bazë të gjetjeve, vendimi do të bëhet publik në ditët në vijim.
Sipas ligjeve në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, të dhënat biometrike kërkojnë mbrojtje të posaçme, pasi siç thonë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, “kontesti i përpunimit të tyre mund të krijojë rreziqe të rëndësishme për të drejtat dhe liritë themelore të subjekti të të dhënave”.
“Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale ka paraparë që sektori publik/privat mund të përdorë karakteristika biometrike vetëm nëse kjo është e domosdoshme për sigurinë e njerëzve, sigurimin e pronës apo mbrojtjen e të dhënave konfidenciale dhe sekretin e biznesit, nëse kjo nuk mund të arrihet me mjete më të lehta. Që nënkupton se përdorimi i karakteristikave biometrike për qëllimin e sipër cekur duhet të konsiderohet si masë e fundit, në ato raste ku kërkohet siguri e nivelit të lartë [shembull: qasja në dhomën e serverëve, qasja në hapësirat ku ruhen dokumentet konfidenciale etj]”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë dhënë Radios Evropa e Lirë.
Më herët gjatë javës, nga Sindikata e punëtorëve të Telekomit kanë thënë se kjo ndërmarrje ka nisur të testojë sistemin e ri të identifikimit të punëtorëve në hyrjet dhe daljet e tyre, me anë të retinës së syrit.
Ky sistem është thënë se po testohet për të evituar humbjen e parave si pasojë e mungesës së punëtorëve në vendin e tyre të punës.
Telekomi i Kosovës është kompani publike, e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile, Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi. Në këtë kompani janë të punësuar rreth 2,500 punonjës.