Site icon PrishtinaPress

Agim Veliu s’e bën hesap Abdixhikun, shkon në Gjermani si kryetar i Degës së LDK-së në Podujevë

Agim Veliu ka udhëtuar për në Gjermani në cilësinë e kryetarit të LDK-së së Podujevës, duke mos e marr parasysh vendimin e të parit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili e shkarkoi Veliun nga kjo pozitë, shkruan Express. 

Veliu i shkarkuar nga Kurti si ministër, e pastaj nga Abdixhiku si kryetar i Degës së LDK-së në Podujevë, ka udhëtuar për në Velbert të Gjermanisë, sipas tij, me ftesën e kreut të CDU-së atje, Burghard Fülling.

Ish-kryetari i Podujevës, duket se nuk po e dorëzon kollaj bastionin e tij, përkundër që partia e tij i humbi zgjedhjet lokale atje.

Fakti që Podujevën e fitoi VV-ja, duket se e ka rikthyer në jetën politike Veliun, i cili si kryetar i LDK-së në Podujevë, siç po e quan vetën, mund edhe të garojë për kryetar në zgjedhjet e ardhshme. 

Në Podujevë, Ekrem Hyseni i cili humbi nga Shepjtim Bulliqi, në një shkrim para dy javësh e prezantoi vetën si prijës i LDK-së atje. 

“Jam krenar, që si prijës i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë qëndruam dhe do t’ju qëndrojmë besnik premtimeve e zotimeve të dhëna para secilit qytetar llapjanë, bashkërisht me asambleistët tanë”, ka shkruar Hyseni.

Ndërsa Veliu tha se këtë vizitë në Velbert të Gjermanisë e bëri për t’ konsoliduar dhe thelluar kontaktet ekzistuese të marrveshjes së partneritetit mes LDK-së dhe CDU-së. 

“Me ftesë të zotit Burghardt Fülling – kryetar i CDU në Velbert, në cilësinë e kryetarit të Degës së LDK-së në Podujevë po qëndroj për vizitë në këtë qytet të Gjermanisë, me qëllim të konsolidimit dhe thellimit të kontakteve ekzistuese në kuadër të marrëveshjes së partneritetit dhe marrëdhënieve të krijuara në mes LDK-së në Podujevë dhe CDU në Velbert”, ka shkruar Veliu në Facebook. 

“Gjatë takimit me z.Fûlling biseduam për format e bashkëpunimit dhe nënshkruam edhe një marrëveshje partneriteti për promovimin e mundësive, shkëmbimin e informacioneve dhe bashkëpunimit në shumë fusha, në mënyrë që të konsolidohet e thellohet marrëveshja mes dy subjekteve tona politike”, ka thënë Veliu.

“U zotuam se do të angazhohemi të krijojmë lidhje dhe takime midis anëtarëve tanë aktivë dhe nënorganizatave dhe t’i mbështesim sa më shumë që të jetë e mundur”, shtoi Veliu.

Exit mobile version