-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Agim Bahtiri: Ura e Ibrit do të hapet, ndërkombëtarët ta përmirësojnë veten

Ish-kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, ka kërkuar që t’i jepet drita jeshile vendimit për hapjen e Urës së Ibrit.

Ai jep garancë se një gjë e tillë nuk do të ndikonte që të organizoheshin protesta në shenjë të kundërshtimit.

“Të normalizojmë situatën. Unë garantoj që asnjë njeri as nga veriu as nga jugu nuk do të protestojë dhe nuk do të kundërshton, për arsye se urat i lidhin qytetet, ruajnë bashkëpunimin mes njëri-tjetrit”, tha Bahtiri.

“Është e papranueshme që Bashkimi Evropian, në vend që t’i përkrahë iniciativat e tilla, t’i ndalë më duket absurde. Simboli i ndarjes duhet një herë e përgjithmonë të shuhet si iniciativë, le të ketë normalizim për të gjithë qytetarët dhe jo të ketë ndasi”, shtoi ai.

Bahtiri u shpreh i bindur që ura do të hapet, ndërsa tha se për këtë nuk ka asnjë dilemë.

“Mendoj se faktori ndërkombëtar duhet të përmirësojë vetveten për iniciativa të tilla të cilat nuk e di kush ia imponon”, ka deklaruar ai në Klan Kosova.

Ndryshe, QUINT’i dhe NATO ia kanë bërë të qartë Kryeministrit Albin Kurti se nuk e mbështesin hapjen e Urës së Ibrit për vetura.

Mesazhi iu dha nga Ambasadori i Shteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, i cili pas takimit deklaroi se vendet QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku ,me ambasadorin e BE në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të Urës së Mitrovicës në këtë kohë”, deklaroi Hovenier para gazetarëve.

Tema për hapjen e urës ishte diskutuar në takimin e para rreth dy javësh që Kryeministri Albin Kurti e kishte me ambasadorët e shteteve të QUINT’it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, kishte njoftuar Zyra e Kryeministrit pas atij takimi.

Një ditë pas këtij takimi, Kryeministri Kurti kishte deklaruar se hapja e urës nuk është kundër askujt.

“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”-

Një përgjigje për këtë çështje, Kurtit i ka ardhur dje edhe nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar dje se çështja e rihapjes së urës për qarkullim është çështje që i përket dialogut dhe se çdo vendim për hapjen duhet të merret në kuadër të dialogut.

Kundër kësaj, ka reaguar dje Presidentja Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se kjo nuk duhet të bëhet asesi temë e dialogut me Serbinë, sepse do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetueshmërisë së Kosovës.

Sipas saj, dialogu i vetëm duhet të bëhet në të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë.

“Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë. 🇽🇰”, ka shkruar Osmani”, ka shkruar Osmani.

“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, tha Kurti muajin e kaluar.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img