Kandidati për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri, pas rrahjes në tubimin e tij politik pardje në Mitrovicë i akuzoi “gangsterët” e PDK-së. Por, në raportin e Policisë së Kosovës rasti i asaj rrahjeje është trajtuar pa motive politike.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy të mitur, pasi që kanë sulmuar fizikisht një person në rrugën “Zahir Pajaziti”, në Mitrovicë. Sulmi kishte të bënte me një aktivitet të Agim Bahtirit në Mitrovicë në lagjen Tjegullorja, i cili nuk shkoi ashtu siç e kishte planifikuar, pasi disa përkrahës të tij u rrahën mes vete. Nga policia ky rast cilësohet vetëm “sulm”, dhe jo “sulm politik”.
Sipas policisë me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
“SULM-Rr. Zahir Pajaziti, Mitrovicë 24.09.2021 – 19:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar (njëri i mitur), pasi që të njëjtit kishin sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së. Kujtojmë se Demokracia.com ka raportuar se përkrahësit e Agim Bahtirit në lagjen “te Tjegullorja” nuk kanë pranuar kandidimin e tij për kryetar komune, pasi e kanë akuzuar për mospagesën e disa pagave.