Ministria e Kulturës ka dhënë tenderin për zhvillimin e master-planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skënderajt. Fituese është shpallur një kompani me bazë në Gjermani, “Gerber Architekten International GmbH”, derisa vlera e kontratës është afro tetë milionë euro.
Në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik figuron se kontrata është dhënë më 4 qershor, ndërsa pritet të nënshkruhet më 11 korrik. Vlera e saktë e kontratës është 7 milionë e 890 mijë euro, edhe pse ishte parashikuar të kushtojë veç 3 milionë.
Tek përshkrimi i kontratës theksohet se “qasja e konservimit të integruar”, duhet të mbizotërojë gjatë gjithë procesit të zhvillimit të master-planit. Kompania fituese ka përvojë mbi 50-vjeçare.
“Kompleksi Memorial ‘Adem Jashari’ ka status të mbrojtjes së përhershme, sipas “Ligji nr. 06 L-059 për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz; ndërsa Komisioni i ekspertëve Komiteti Ndërministror, për të njëjtin ka propozuar statusin e “peisazhit kulturor të asocuar’(‘associated cultural landscape’), duke u bazuar në ‘Udhëzimet funksionale’ (‘Operational guidelines’), të Konventës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO’s[‘UNESCO World Heritage Convention’]; çfarë edhe nënkupton se qasja e konservimit të integruar, duhet të mbizotërojë gjatë gjithë procesit të zhvillimit të master-planit”, specifikohet në dosje.
MKRS kishte formuar grupin koordinues për vlerësimin e gjendjes fizike të ndërtesave në kuadër të Kompleksit në muajin korrik të vitit 2021. Ky grup koordinues ka rekomanduar hapat që duhet të ndërmerren për trajtimin e Kompleksit Memorial. Një prej rekomandimeve ka qenë edhe vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesave kryesore të kompleksit në aspektin strukturor.
Prej vitit 2004, Kosova me Ligj të veçantë kishte shpallur kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” si hapësirë me interes të veçantë. Më pas në nëntor të vitit 2018, me Ligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz ishte ripërcaktuar statusi i Kompleksit dhe obligimet e institucioneve të Kosovës për planifikimin, ndërtimin, mbrojtjen, konservimin, restaurimin, administrimin, kujdesin dhe prezantimin e tij. Në Ligj që ka zëvendësuar atë të 2004-s përcaktohet se Kompleksi posedon 450 hektarë dhe, sipas analizës së ndikimit buxhetor, asokohe parashihej të investoheshin 21 milionë euro.