T’i kujtosh vitet e 90-ta është një trishtim në vete! Populli shqiptar i Kosovës përjetoi torturat më çnjerëzore nga pushtuesi serb. Kosova ishte e pushtuar nga Serbia shoveniste dhe e sulmuar në mënyrën më barbare. Edhe sportistët i dëbuan nga stadiumet dhe palestrat sportive.
Nga gushti i vitit 1991 e deri me 12 qershor të vitit 1999, të gjitha objektet sportive ishin të uzurpuara dhe gjithçka tjetër që ishte shqiptare! Klubet e ndryshme sportive vepruan ashtu si munden dhe i zhvilluan aktivitetet e tyre në fusha të improvizuara. Këngëtari i mirënjohur, Afrim Muçiqi, si futbollist i asaj kohe, i klubit të futbollit Llapi nga Podujeva, ka përjetime të tmerrshme.
Afrim Muçiqi, i treti djathtas në këmbë
Në çdo ndeshje që kishin shkuar ishte sikur të niseshin në front të luftës, jo në fusha të futbollit. Kontrollet ishte të rrepta në punktet e milicisë së okupatorit serb. Muçiqi kujton një ngjarje që asnjëherë nuk i fshihet nga kujtesa, por ndihet krenarë për sakrificën dhe rezistencën që i bënë pushtuesit serb. Në asnjë formë nuk iu frikësuan pushtuesit. Ish futbollisti kujton një rast të tmerrshëm nga milicia serbe.
Ahmet Kurtolli e Afrim Muçiqi
“Në kohën e okupimit, 9 veta, pra lojtarët i kam kthyer prej Pozhoranit me veturën Yugo 45. Na i morën krejt pajisjet policia e Serbisë në finale të play-off-it. Etj,. etj. Na lanë edhe krejt cullak”, tregon Muçiqi për gazetën “Bota sot”. Atëkohë luante si sulmues i majtë dhe kujton kohën kur brenda ditës u desh të ndërroheshin 2-3 fusha shkaku i represionit nga regjimi serb.
Afrim Muçiqi me Kupë në dorë, feston me FC Prishtinën, klubin më të trofeshëm
“Nuk jemi ndal kurrë, ka dy – tri fusha i kemi ndërruar në ditë për me kryer një lojë dhe me shikues plot, dy-tri mijë veta. Fusha ishte e rrethuar në shumë raste edhe me një litar, realisht mund të them këto sfida që bëmë me shokët tanë atëkohë, janë për të xhiruar film pas filmi!”, thotë Muçiqi, i cili sot është nënkryetar i klubit më të trofeshëm të Prishinës.
Muçiqi ndihet shumë mirë që tani Kosova ka një stadium sipas standardeve ndërkombëtare, siç është stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe me klube e me kombëtare garojnë në garat e ndryshme ndërkombëtare.
Është krenarë që i ka takuar gjeneratës që sfidoi pushtuesin serb, që dhanë shumë për të mbajtur gjallë futbollin dhe çdo segment tjetër të jetës në kohën e okupimit dhe që sot të rinjtë e të reja po i shijojnë të mirat në shtetin e Kosovës.