Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti në Afganistan.
Sipas komunikatës për medie, “Qeveria e vlerëson të nevojshëm ofrimin e mbrojtjes së përkohshme e të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhje korresponduese, në të cilën ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visas (Vizave të Veçanta Imigruese) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”, thuhet në komunikatë.
Tutje, është bërë e ditur që këta persona do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga institucionet relevante të sigurisë në Republikën e Kosovës, në rast të nevojës e në qëllim të sigurisë kombëtare, sipas vlerësimit të institucioneve relevante në Republikën e Kosovës.
“Personat nën mbrojtje sipas vendimit të Qeverisë, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara sipas Ligjit për Azil”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.