Pas denoncimit të bërë nga nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili për aferën “Spitali” dhe debati që u hap në vijim për vendimet e marra nga qeveritë e ndryshme për atë çështje, Indeksonline ka kërkuar e siguruar dokumentet zyrtare të vendimeve të qeverive Çeku dhe Hashimi Thaçi për atë çështje.
Konkretisht janë dy vendime të qeverisë Çeku dhe dy të qeverisë së Thaçit të cilat kanë kërkuar pezullimin e punimeve të ndërtimit dhe ndryshimin e lokacionit të spitalit privat të ashtuquajtur Qendra e Kardiologjisë së Kosovës.
Në dokumentin numër 07/274 të datës 03.10.07 tregohet vendimi i qeverisë së Agim Çekut për të pezulluar punimet në ndërtimin e objektit të Qendra Kardiale e Kosovës (QKK) në ambientet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës pasi binte ndesh me udhëzimin që kërkonte që objektet e spitaleve private të ishin së paku 1.5 kilometra larg spitaleve publike.
Jo vetëm kaq, por pak ditë më pas, me vendimin numër 09/277 të datës 31.10.2017, kryeministri Çeku në bashkëpunim me Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i kërkon Kuvendit Komunal të Prishtinës që të ndryshojë lokacionin për ndërtimin e Qendrës së Kardiologjisë në Prishtinë.
Me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, me Vendimin Nr. 06/23 datë 03.06.2008, qeveria e z. Thaçi themelon një komision ndërministror për shqyrtimin e çështjeve të ndërtimeve private brenda hapësirave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës i cili ngarkohej që të analizonte problemin dhe të ofronte rekomandim për zgjidhjen e kësaj çështje.
Bazuar në këto rekomandime, në mbledhjen e mbajtur në 12 qershor 2008 Qeveria e Kosovës u deklarua se vendimi i pezullimit të punimeve të marra nga qeveria Çeku në datë 3 tetor 2008 mbetej në fuqi.
Këtë gjë e dëshmon vendimi nr. 15/24 i datës 12.06.2008 i qeverisë së drejtuar nga ish-kryeministri Thaçi.
Po ashtu, Indeksonline ka siguruar gjithashtu dokumentin e vërtetë zyrtar të vendimit të qeverisë Thaçi me numër 08/70 të datës 25.06.2009 që rikonfirmon dy vendimet e sipërpërmendura të vitit 2007 qeverisë Çeku kundër ndërtimit të spitalit në ambientet e QKUK-së.
Pra në dy vendime të vitit 12 qershorit 2008 dhe 25 qershorit 2009 qeveria e Kosovës e drejtuar nga Thaçi kishte lënë në fuqi. /Indeksonline/