Site icon PrishtinaPress

AFERA JARANAT E LIBURNIT: Ryshfet astronomik në Ministrinë e Liburn Aliut (Ekskluzive/Audio)

Në episodin e tretë të Ditarit të Buzhalës trajtohet një rast korrupsioni ku përmendet edhe emri i ministrit Liburn Aliu, dhe ku nuk mungojnë shumat astronomike, pushteti e ryshfeti dhe daja e nipi. 

Në këtë emision, autori Berat Buzhala zbulon përgjime autentike që dëshmojnë se si një kompani projektuese e lidhur me pushtetin e Vetëvendosjes u zu “me pelë për dore” duke kërkuar ryshfet.

Pushteti e ryshfeti

Që në Kosovë kërkohet ryshfet, kjo ishte një hamendje e kahmotshme ani pse shpesh mungonin faktet për ta dëshmuar se ndodhte e për ta kuptuar se si ndodhte. Por, kësaj radhe çështja është shumë më e rëndë e njëkohshëm edhe më sqaruese meqë kompania del të ketë lidhje me majën e pushtetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe sqaron mënyrën se si ndodh korrupsioni.

Është fjala për kompaninë e quajtur “Infratek” e në të cilin kishte punuar këshilltari i Liburn Aliut. Dhe, madje jo veç që kishte punuar por edhe kishte lidhje familjare me pronarët. Ata ishin dajtë e tij.

Emri i këtij këshilltari është Florent Ramqaj. Emri i ministrit është Liburn Aliu. Emri i dajës është Halil Jahaj. Mbiemri i ministrisë është “e Infrastrukturës”. Shuma e ryshfetit? Eh, këtu ju lusim që të mbani frymën: bëhet fjalë për 30 mijë euro. Pra, bëhet fjalë për 20 mijë euro që jepen një herë, e 10 mijë tjera më vonë.

Nipi i shefave të kompanisë ryshfet-kërkuese e këshilltari i Liburnit, Florent Ramqaj, dikur protestonte me aktivistë të Vetëvendosjes edhe për bileta më të lira të autobusit por del se sot është njeri shumë i pushtetshëm.

Kompania e dajës së Vetëvendosjes – siç quhej Halili nga aktivisti i shquar i partisë së Kurtit, Pajtim Demaj – kishte për detyrë që të shkruante raportin për punët e kryera nga kompanitë e caktuara. Dhe, në vend se të kryente punën siç e parashikonte ligji, përfaqësuesi i kompanisë dëgjohet duke keqpërdorur detyrën zyrtare, pra pushtetin, për të marrë përfitime financiare.

Për më keq, nga përgjimet nënkuptohet se edhe nëse kompania ndërtimore do t’i kishte kryer punët si duhej sipas të gjitha rregullave e standardeve të projektuesit, do t’i nënshtrohej ryshfetit në fjalë.

Liburn jarani 

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës prej 23 marsit 2021 drejtohet nga Liburn Aliu, një prej njerëzve më të pushtetshëm në Vetëvendosje për shkak të afërsisë me liderin, Albin Kurtin.

Në muajt e fundit pas ardhjes në pushtet, mediet raportuan për shtëpinë e Liburn Aliut në Lagjen Marigona dhe e cila nuk përkonte me imazhet e politikanit që avokonte për varfërinë dhe për mjerimin.

Por, emri i Liburn Aliut përmendet edhe në këto përgjime.

“E ka jaran Liburnin,”  – thotë në një sekuencë përfaqësuesi i Infratekut duke e mbështetur kërkesën për ryshfet – e cila në një moment shndërrohet edhe në kërcënim – ndaj viktimës.

Ryshfetkërkuesi në këtë rast po e thotë të vërtetën. Liburnin e kanë jaran, siç e dëshmon edhe fakti që këshilltar i tij është z. Ramqaj, nipi i tyre.

Dhe e gjithë ajo që i vë vulën kësaj afere është aktiviteti politik i dajës dhe nipit në këtë rast. Që të dy moralizues, dhe që të dy tepër të përkushtuar që të çojnë përpara politikat ndëshkuese të krimit.

Ju ftojmë që ta dëgjoni me vëmendje episodin e tretë të Ditarit të Buzhalës:

Exit mobile version