Ditë të vështira për familjen Berisha. Komisioni hetimor parlamentar pritet të zgjerojë rrethin e dëshmitarëve, të cilët do të pyeten për të hedhur dritë mbi prapaskenat e skandalit të shitjes së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) nga qeveria ‘Berisha’ tek kompania çeke ‘CEZ’.
Publikimi i fakteve të reja gjatë 48 orëve të fundit, i kanë dhënë një dimension tjetër privatizimit abuziv me kosto 414 milionë eurosh, duke implikuar Shkëlzen Berishën, të birin e ishkryeministrit, Sali Berisha.
Në këtë kuadër, komisioni hetimor do të përfshijë në listën e dëshmitarëve disa nga personat që figurojnë në dokumentet e zbuluara gjatë hetimeve si dhe emrat e lakuar nga dëshmitari kyç, Romeo Karaj.
Shqiptarja.com ka mësuar se, komisioni hetimor për çështjen ‘CEZ’ po shqyrton mundësinë për të marrë në pyetje edhe të birin e Sali Berishës, Shkëlzen Berishën.
Ky i fundit, sipas emailit të ishdrejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, drejtuar nëndrejtorit të CEZit në Pragë, Tomas Pleskac, rezulton se ka lidhje të hershme me shtetasin kosovar Nuel Kalajn, i cili akuzohet si sekseri kryesor mes çekëve dhe qeverisë “Berisha” për privatizimin e OSSH.
Kryetari i komisionit hetimor, Taulant Balla, konfirmoipër Shqiptarja.com se dëshmia e pritshme e shtetasit Nuel Kalaj do të jetë përcaktuese për të përfshirë ose jo Shkëlzen Berishën në listën e dëshmitarëve, të cilët do të dëshmojnë para komisionit hetimor me dëshirë apo me imponimin e forcave të policisë.
Teksa ka konfirmuar vendosmërinë e komisionit për t’u shkuar deri në fund hetimeve për çështjen në fjalë, Balla pohoi se vendimi për të thirrur Shkëlzen Berishën do të varet nga përmbajtja e dëshmisë së Nuel Kalajn, i cili pas privatizimit të OSSH ka marrë 7 milionë euro nga CEZ, pa asnjë shërbim të dokumentuar. Transaksioni është pranuar edhe nga vetë Kalaj.
Dyshimet e komisionit Shtetasi kosovar Nuel Kalaj, i akuzuari si sekseri kryesor i privatizimit të OSSH, nuk u është përgjigjur thirrjeve të komisionit hetimor për të dëshmuar rreth rolit të tij në shitjen e 75 % të aksioneve të OSSH tek kompania çeke ‘CEZ’.
Në kushtet kur komisioni hetimor vuri në lëvizje policinë, Kalaj theu heshtjen, teksa tha se e kishte të pamundur të udhëtonte në Tiranë për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Por, anëtarët e komisionit kanë dyshime të forta se, justifikimet e Kalajt janë një alibi për të fituar kohë, me qëllim për t’u instruktuar rreth dëshmisë që duhet të japë.
Dyshimet shtohen në kushtet kur Kalajt ka deklaruar se pas përmirësimit të motit do të jetë i gatshëm për t’u paraqitur vullnetarisht pranë komisionit hetimor. Hetimet Hetimet e komisionit parlamentar nuk do të kufizohen vetëm në administrimin dhe analizën e dëshmive të personave të pyetur rreth privatizimit të OSSH. Komisioni do të investohet për të konfirmuar vërtetësinë e dëshmive të dëshmitarëve. Komisioni do të kërkojë transaksionet bankare të personave të përfshirë, verifikimin e lëvizjeve me anë të sistemit TIMS si dhe tablatet telefonike.
Nëse të dhënat e mësipërme nuk përputhen me dëshmitë, komisionit do të kërkojë ndjekje penale për dëshmitarët.
Të gjitha hetimet do të kryhen në funksion të përgatitjes së dosjes, e cila do të referohet në prokurori, me shumë gjasa në Prokurorinë e Posaçme.
Dëshmia e Shkëlzenit Deputeti Balla ka pohuar se dëshmia e pritshme e shtetasit Nuel Kalaj do të jetë përcaktuese për të përfshirë Shkëlzen Berishën në listën e dëshmitarëve, të cilët do të dëshmojnë para komisionit hetimor për çështjen ‘CEZ’ Dyshimet Anëtarët e komisionit hetimor kanë dyshime të forta se, justifikimet e shtetasit Nuel Kalaj janë një alibi për të fituar kohë, me qëllim për t’u instruktuar rreth dëshmisë që do të japë./Shqiptarja.com