Site icon PrishtinaPress

Afër 6500 banorë të Shalës së Bajgorës përfitojnë nga rrjeti i ri

Bukurive natyrore të Shalës së Bajgorës, e cila shtrihet në rrëzat e Kopaonikut, po i shtohet edhe investimi i KEDS në largpërçuesin e Shalës dhe degëzime tjera të rrjetit shpërndarës.

Në këto male të mbuluara me lisa të gjatë e me turbina të erës në majat e larta, gjarpëron Ibri në njërën anë dhe Llapi në anën tjetër. Marrë parasysh lartësinë e madhe mbidetare, intervenimi nga ekipet tona ishte gjithmonë i vështirë në rast të prishjeve ose mirëmbajtjeve preventive. Tashmë, i gjithë rrjeti i ri në gjatësi prej 2.9 km dhe me 50 shtylla të betonit, është i pozicionuar skaj rrugës. Kjo lehtëson qasjen e ekipeve tona në kryerjen e detyrave dhe intervenimeve më të shpejta.

Qëllimi i këtij investimi nga i cili do të përfitojnë afro 6500 banorë të kësaj ane, është furnizimi kualitativ për secilin konsumator dhe evitimi i ndërprerjeve të paplanifikuara.

Eliminimi i linjës aktuale dhe të vjetërsuar në këtë zonë, si dhe ndërtimi i linjës së re, do të ofrojë më shumë siguri në furnizim për të gjithë konsumatorët tanë në Shalë. Kjo parashihet të jetë zgjidhje jashtëzakonisht e favorshme, sidomos gjatë dimrit, ku për shkak të borës së madhe dhe ndikimit të faktorëve tjerë atmosferikë, ndërprerjet ishin të shpeshta e intervenimi tepër i vështirë.

Investime të tilla janë tregues që KEDS mbetet gjithmonë i përkushtuar në ofrimin e shërbimeve sa më të mira në rrjetin distributiv. Tash e 10 vjet, angazhimi ynë i përditshëm është furnizimi i sigurt dhe kualitativ i energjisë elektrike. KEDS aktualisht ka mbi 250 projekte investive në implementim anekënd Kosovës.

Exit mobile version