Site icon PrishtinaPress

Afati i fundit – Policia paralajmëron protesta, nëse Qeveria s’ua përmbush kërkesat

Qeveria e Kosovës sot ka afatin e fundit për plotësimin e kërkesave të Policisë së Kosovës për përfshirjen e tyre në vendimin e pagave shtesë nga 300 euro për korrik dhe gusht. Nëse ekzekutivi nuk përmbush këto kërkesa dhe ato për kompensimin e orëve shtesë, policia e Kosovës paralajmëron protestë dhe neglizhencë të punës.

Kështu kanë thënë sot drejtues të Sindikatës së Policisë në mbledhjen e komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në të cilën u njoftuan deputetët lidhur me kërkesat e tyre.

Kryetarja e kësaj sindikate Valbona Kamberi tha se pakënaqësitë e policisë janë të mëdha, sidomos për punën në pandemi e cila nuk po stimulohet nga Qeveria.

Ajo tha se asnjë kërkesë deri tash nuk është plotësuar nga Qeveria e Kosovës, derisa policia që nga 12 marsi i këtij viti e deri më sot punon 12 orë, ku janë mbi 600 pjesëtar të policisë të infektuar nga Covid-19 dhe 10 policë të cilët kanë humbur betejën me këtë virus.

Kamberi po ashtu ka thënë se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, do të mbajnë protesta, greva si dhe do ta pasivizojnë punën në terren.

“Protestat do të jenë(ndodhin) se në çfarë forme do të jenë ato do të vendosen nga këshilli drejtues i sindikatës. Ne do t’i përdorim të gjitha mjetet sindikale, sepse protesta nuk është e mirë në kohë të pandemisë dhe as për qeverinë e Kosovës. Dhe derisa policia del në protestë, çka më tutje? Kjo do të thotë që të gjithë qytetarëve t’u lejohet të bëjnë çfarë të donë gjersa policia atë ditë apo në atë orë do të angazhohet në protestë”.

“Andaj, ta keni me dije se do të jetë një pasivitet që do t’i kushton buxhetit të Kosovës, sepse ne kemi mundësi të dalim të detyre e që nuk do të merremi me dënime dhe nuk do të merremi më se kush do të mbanë maskë dhe kush jo, sepse na keni pru deri në atë nivel”, tha Kamberi.

Paga e një polici në vend aktualisht është 390 euro. Katër kërkesat me prioritet të Sindikatës së Policisë janë: pako emergjente, shujtat, ligji për pensionim të parakohshëm dhe sigurimi shëndetësor.

Exit mobile version