Anëtari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Naim Gashi i thoshte ish-gazetarit të RTK-së, Nebih Maxhunit, se “kush i shtin brinat me mua në RTK nuk ndahet kollaj”.
Në një bashkëbisedim mes Gashit dhe Maxhunit në platformën e internetit messenger, të cilën e ka publikuar në Facebook ish-gazetari i Transmetuesit Publik, Gashi i ankohej Maxhunit për një kronikë televizive ku emri i tij ishte përmendur në një Komision Parlamentar.
“Po më intereson, kornikën e mbrëmshme prej Komisionit a ke qenë ti dora e fundit?”, i thotë anëtari i Bordit të RTK-së, gazetarit Maxhuni. “Aty emri im përdoret në aspektin pezhorativ edhe smë erdhi mirë që ishe ti. Të paktën prej teje se kam prit”.
“Kush i shtin brinat me mua në RTK nuk ndahet kollaj”, i thotë anëtari i Bordit të RTK-së, gazetarit Maxhuni, i cili nuk punon në Transmetuesin Publik prej fillimit të këtij viti.
“Kjo punë ka me shku goxha larg edhe tu kanë me të rrokë do stërpika, po hajrin ua pafsh”, kërcënon Gashi, Maxhunin.
Para disa javësh, ish-gazetari i RTK-së, Nebih Maxhuni publikoi edhe një bashkëbisedim të tij me Ridvan Berishën, kryeredaktorin e RTK-së, i cili siç dëshmohet në bashkëbisedim, i përcjellte gazetarit pyetjet që duhej t’ia bënte Hashim Thaçit, në një intervistë të presidentit për RTK-në.