Site icon PrishtinaPress

Aeroporti i Gjakovës drejt mbylljes, ministri Hoti premtonte: Po bëhet gati edhe për ushtrinë

Ministri i Financave, Avdulla Hoti, para tri javësh dha një premtim të madh – funksionalizimin sa më të shpejtë të aeroportit të Gjakovës, si aeroport civil, por i cili do të përdorej edhe për ushtrinë e ardhshme të Kosovës.
“Aeroporti i Gjakovës drejt funksionalizimit si aeroport civil dhe për ushtrinë e ardhshme të Kosovës”, kishte shkruar ministri Hoti në Facebook, më 6 shtator të këtij viti. Ky aeroport i cili ka sipërfaqe prej 110 hektarë, janë regjistruar rreth 9 milionë euro asete, i cili llogaritet se ka kapacitet për akomodimin e 400 personave. “Për tetë muaj të funksionimit të Bordit të kësaj ndërmarrje, janë regjistruar asetet plotësisht dhe janë vendosur nën mbikëqyrje. Bordi i Aeroportit ka vendosur komunikim të mirë me Agjencinë për Shërbim të Aviacionit Ajror dhe me Autoritetin e Aviacionit Civil, si dy organe rregullatore në këtë fushë”, kishte shkruar ministri Hoti. Sipas ministrit, është duke u përgatitur studimi i fizibilitetit në mënyrë që ky aeroport të funksionalizohet.
Por kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se do ta padisë Qeverinë e Kosovës për neglizhencë të funksionalizimit të këtij aeroporti. “E vetmja gjë e cila i mbetet Komunës së Gjakovës është të përgatis padi ndaj Qeverisë së Kosovës për neglizhencë ndaj aseteve të vendit”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook. Por a ka përgjegjësi edhe Mimoza Kusari-Lila në mosfunksionalizimin e aeroportit të Gjakovës?
Kohë më parë, anëtari i kryesisë së AAK-së, Ardian Gjini, i cili zyrtarisht është kandidat për kryetar të Gjakovës në zgjedhjet e ardhshme lokale, e ka akuzuar Kusari-Lilën, se kishte premtuar gjatë fushatës se do ta hapte aeroportin gjatë mandatit të saj. “Krijohet Bordi që s’ka me punu kurrë. Me dalë në fushatë e me ju thanë qytetarëve se ka mu hapë, duke qenë vetë pjesë e komitetit drejtues të projektit. Kur është nënshkruar kontrata për aeroportin “Adem Jashari”, ku eksplicit thuhet se nuk ka me pas për 20 vjet aeroport tjetër në Kosovë”, kishte thënë Gjini. Por Kusari-Lila kohë më parë kishte thënë se nuk e sheh problem këtë punë. Sipas saj, i vetmi kriter në kontratën e Qeverisë me kompanisë Limak ka qenë që Qeveria të mos hartojë politika që do t’i shkaktonte humbje koncesionarëve. Në këtë rast ajo kishte thënë se do të mund të bëheshin diversifikimet e shërbimeve, dhe në këtë mënyrë të mos i bëhet konkurrencë aeroportit të Prishtinës. Megjithatë, drejtoresha e Bordit të aeroportit të Gjakovës, Brikenda Kryeziu, pati deklaruar se bordi është funksional, por nuk kishte dhënë detaje tjera nëse këta persona marrin apo jo pagë nga shteti
Exit mobile version