Ditë më parë u dha lajmi se aktorja Adriana Matoshi i ka dhënë fund lidhjes së saj me ish-futbollistin afrikano-belg, Keith Groeneveld.
Ka qenë Keith ai i cili e konfirmoi lajmin e ndarjes, duke u shprehur publikisht se i dëshiron të gjitha të mirat Adrianës.
Ai tha se ndarja ka ndodhur paqësisht mes dyshes, duke shtuar se shqiptarët e Kosovës duhet të jenë krenarë që përfaqësohen nga një grua e tillë në Kuvendin e Kosovës.
Adriana ndërkohë nuk ka bërë asnjë deklaratë në lidhje me këtë çështje, duke zgjedhur heshtjen.
I vetmi reagim që ajo bëri ishte në Instagramin e saj, duke larguar të gjitha fotografitë e përbashkëta që prej më shumë se një viti publikonte me Keithin.
E teksa i fshiu imazhet e vjetra, Matoshi solli për ndjekësit e saj disa fotografi të reja, ku dukej në formë mjaft të mirë teksa shijonte rrezet e diellit.
“Diell në zemrën time”, shkroi aktorja dhe deputetja e njohur në mbishkrimin e fotografive në Instagram, ku shfaqej mjaft e buzëqeshur ndërsa kishte veshur një bluzë të shkurtër të zezë dhe xhinse.
Adriana dhe Keith e filluan lidhjen e tyre në pranverën e vitit 2020, por ajo nuk u bë e ditur për publikun deri në tetor të atij viti.