Gjithçka do të hetohet për sa i përket raportimeve për abuzimet me fondet e destinuara për pacientët që kanë nevojë të shërohen jashtë vendit, ka qenë zotimi i Qeverisë së Kosovës, të mërkurën përmes një komunikate.
Në reagim ndër tjerash thuhet se Qeveria do të qëndrojë afër pacientëve.
“Qeveria qëndron tërësisht në anën e kërkesave të pacientëve e të publikut të gjerë dhe do të marrë të gjitha masat e duhura e të ushtrojë brenda kuadrit ligjor kontroll të rreptë në FSSh, që të sigurojë funksionimin e mbikëqyrjen e Programit me qëllim që pacientët të marrin shërbimet e kërkuara. Ky shërbim do t’i kthehet normalitetit, kurse abuzimet në të kaluarën të hetohen”, thuhet në reagim,
“Qeveria do t’i aktivizojë të gjithë mekanizmat e vet dhe do t’u ofrojë bashkëpunimin organeve të drejtësisë për hetimin e të gjitha rasteve të nxjerra publikisht lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimin në emër të pacientëve që janë trajtuar jashtë vendit, përmes Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”, ka mbarur deklarata e ekzekutivit.
Reagimi i Qeverisë vjen pasi në “KOHA”, janë botuar një mori hulumtimesh që lidhen me abuzime me fonde të pacientëve që kishin nevojë të mjekoheshin jashtë Kosovës.
E Rifat Latifi, ministër i Shëndetësisë, të martën në Radio Televizionin e Kosovës, ka thënë se do të deponojnë në prokurori çdo provë që Ministria e Shëndetësisë e ka në lidhje me këtë çështje.