Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, e ka pranuar që ka pasur abuzim me fondet e destinuara për shërimin e pacientëve kosovarë jashtë vendit.
Gjatë një interviste për Radio Televizionin e Kosovës, të martën – i pari në shëndetësi ka thënë se nuk do të lejojnë që fati i pacientëve të jetë në duart e kriminelëve.
Ka treguar që në prokurori ende nuk ka dërguar asgjë, por ka paralajmëruar që të gjitha provat që Ministria e Shëndetësisë i ka në dispozicion do t’i deponojë në prokurori.
“S’mund të lejojmë që qytetarët tanë të jenë në mëshirën e kriminelëve që merren me shëndetin, që përdorin sëmundjen e pacientit si mënyrë që të pasurohen në mënyrë të paligjshme”, ka thënë Latifi. “Të gjitha provat që MSH-ja i siguron, do t’u dorëzohen organeve përkatëse. Përndryshe ne humbim kohë duke u marrë me përditshmëri përderisa kemi vrimë të jashtëzakonshme që po rrjedh mjete e po u shkakton dhimbje pacientëve”, ka thënë ai duke shtuar se “kushdo që është pjesë e kësaj, s’ka shansin të kalojë”.
Reagimi i Latifit vjen, pasi KOHA ka publikuar një mori hulumtimesh për abuzime me fonde për sa i përket ndarjes së fondeve për shërimin e pacientëve jashtë vendit.
Përndryshe, ministri i Shëndetësisë, të mërkurën do të raportojë para deputetëve të Komisionit për Shëndetësisë dhe një nga temat do të trajtohet do të jetë edhe çështja e fondeve në shëndetësi.