Site icon PrishtinaPress

Abrashi merr pjesë në punimet e vendkalimit në Grabovc, do të funksionalizohet për një javë

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka marrë pjesë në vendosjen e një laure në hekurudhë, në fshatin Grabovc të Fushë Kosovës, ku tha se po ngrisin vetëdijen, por edhe po promovojnë sigurinë në rrugë.

Të shtunën Abrashi ka parë punimet në hekurudhën që është duke u ndërtuar nga Fushë-Kosova deri në Han të Elezit.

“Tani si ministri kemi themeluar një task-forcë, një grup punues i cili do të merret me pikat e zeza nëpër Kosovë, vendet ku kanë ndodhur më së shumti aksidente, në kuadër të kësaj bëjmë edhe vizita edhe investime. Ky investim ka filluar më herët, por tani po merr formën përfundimtare, besoj që për një javë edhe lirohet me punë. Kemi të bëjmë me një laurë mbrojtëse e cila është vendosur këtu në Grabovc, në një vend ku ka shumë komunikim, ka pasur edhe aksidente por fatmirësisht pa fatalitet. Është një investim i ministrisë dhe teknologjia e përdorur këtu është e fundit. E cila në formë elektronike në mbylljen e vendosjen e barrierave derisa të kalojnë trenat”, ka thënë ai.

Vendosja e kësaj laure sipas Abrashit, është shumë e rëndësishme në veçanti për banorët e Grabovcit, meqë frekuentojnë këtë rrugë.

Në kuadër të këtij projekti, ai tha se do të vendosin edhe laura të tjera mbrojtëse për modernizimin e tërësishëm të hekurudhave. Kryeshefi ekzekutiv i Infrakos-it, Xhevat Ramosaj tha se me këto vendkalime garantohet siguria e qarkullimit të mjeteve rrugore.

“Është projekt i Ministrisë së Infrastrukturës për çka ne e falënderojmë shumë ministrinë. Dhe dëshirojmë e besojmë që do të vazhdojë ky projekt edhe në të ardhmen. Deri më tani me këtë projekt janë kryer tri vendkalime të cilat janë në funksion. Ky është i katërti dhe pritet që së shpejti të funksionalizohet, dhe ne besojmë që do të shkojmë edhe me vendkalimet tjera. Sepse kjo është pikë së pari në interesin e qytetarit të Kosovës. Me këto vendkalime garantohet siguria qind për qind e qarkullimit të mjeteve rrugore”, u shpreh ai.

 

Exit mobile version