Site icon PrishtinaPress

Abrashi i LVV-së për zgjedhjet në veri: Në cilën strofull janë strukur PDK-ja, Kadri ku je

Deputeti i Vetëvendosjes Artan Abrashi, ka hedhur kritika ndaj kreut të PDK-së Kadri Veseli, për mos-reagim ndaj veprimeve të fundit të Qeverisë Hoti, lidhur me lejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se deputetët e PDK-së në Kuvend, për shkak të testeve për COVID-19, të ardhur nga Serbia dhe mjekëve serbë në veri, kishin hedhur mllef e urrejtje, e për zgjedhjet në veri, sipas tij, Veseli po hesht.

“Ku je PDK? Më kujtohen seancat e fillim vitit kur nisi punën Qeveria Kurti, pjesa e djathë e Kuvendit ku ishte ulur PDK-ja, guzhmonte pandërprere me mllef e urrejtje. Flisnin për rrënimin e shtetit pse disa mjek serb kontrollonin të infektuarit me Covid-19 nga një dasmë në veri, e mandej e shpallën “invazionin” e Serbisë në Kosovë pse u pranuan teste që ishin në mungesë për nevoja të popullatës. U ndihej piskama në korridor së bashku me goditjet e foltores që dukej se paralajmëronin edhe grushtet në fund të seancës. Pas çdo fjalimi, pritjej një nënqeshje e Kadriut si shenjë e miratimit për performancën e deputetëve të PDK-së. Nëse nuk kishte shenja, ata egërsoheshin edhe më shumë. Kështu vazhdoi për një kohë”, ka thënë Abrashi.

Abrashi thotë se Qeveria Hoti tashmë është e varur nga Beogradi.

“Ndërsa sot mbahen zgjedhjet e Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Votoi edhe Zv/Kryeministri Rakiq me krenari, duke i ba thirrje serbëve ta kryenin obligimin ndaj shtetit të tyre të vetëm, Serbisë. U cenua rendi juridik dhe kushtetues para gjithë dynjasë. Haptas e thonë se Beogradi bënë çka të dojë, bile bile, ka në dorë edhe fatin e Qeverisë Koti që u kontrabandua me votat e tyre”, shprehet ai.

Ai ka pyetur PDK dhe kreun e kësaj partie Kadri Veselin, pse sipas tij është strukur e nuk po reagon.

“Ku është PDK? Pse nuk ndihet gjallë? Në cilën strofull janë strukur? Ku është Republika, pavarësia, lufta për liri dhe gjaku i dëshmorëve? Kadri ku je?”, thotë tutje.

Abrashi shkon më tej duke thënë se, PDK nuk e ka dert edhe nëse autoblindat e Serbisë sillen nëpër Prishtinë.

“Kjo pafytyrësi e PDK-së gjersa Kosova shkundet nga Serbia na bënë të kuptojmë një gjë. PDK nuk e ka dert edhe nëse autoblindat e Serbisë sillen nëpër Prishtinë. Ata kanë hall vetëm pushtetin që ja pengon Lëvizja VETËVENDOSJE! E gërditshme”, ka shkruar në fund.

Exit mobile version