Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar besimtarët e fesë islame me rastin e festës së Fitër Bajramit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku tha se kjo festë kurorëzon përpjekjet e të gjithë atyre që besojnë në Krijuesin.
“Me fat Fitër Bajrami të dashur besimtarë. Lutje dhe agjerim të pranuar për të gjithë ata që kaluan një muaj sakrifice sprovuese nën shenjën e Zotit. Festa e Fitër Bajramit i kurorëzon përpjekjet e të gjithë atyre që besojnë në Krijuesin; që kanë përshkuar udhëtimin shpirtëror njëmujor, e që ia kanë dalë mbanë të jenë bërë më të virtytshëm, më të mëshirshëm dhe më zemërgjerë. Le të vazhdojmë të forcojmë edhe më tej këtë ndjenjë që muaji i shenjtë dhe festa e Fitër Bajramit na mësojnë. Atë të solidaritetit, të harmonisë e të kujdesit ndaj tjetrit. Në veçanti, le të kujdesemi ndaj atyre në nevojē. Shëndet, paqe e begati për ju e familjet tuaja; për gjithë atdheun tonë!”, shkroi ai.