Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur sot në Selinë Qendrore, ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
LDK-ja përmes një postimi në Facebook tha se Abdixhiku dhe Guerot diskutuan mbi zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë për procesin zgjedhor dhe siç thuhet aty, çështjet që lidhen me numërimin dhe certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja.
“Kryetari Abdixhiku ritheksoi rëndësinë e përfundimit dhe certifikimit sa më shpejtë të rezultateve mbi parimet e demokracisë në plotni. Po ashtu kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në përpjekjet tona drejt proceseve integruese”.
“Gjatë takimit u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë, të cilët kanë një rol të rëndësishëm në mbështetje të zhvillimit dhe forcimit të institucioneve demokratike të Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e LDK-së.