Site icon PrishtinaPress

Abdixhiku takohet me Sarrazin: Kërkova dënim ndërkombëtar për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku është takuar me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka bërë të ditur se emisarin gjerman për mbështetjen e shtetit të tij dhënë ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës përgjatë gjithë zhvillimeve të djeshme.

“Mesazhet e qarta dhe të pa ekuivok në momente të tilla janë domethënëse në përballjen me terroristë. Dhe këto mesazhe nuk i munguan vendit tonë”, ka shkruar Abdixhiku.

I pari i LDK-së tha se në këtë takim ka shprehur edhe “qëndrimin mbështetës të LDK-së ndaj institucioneve të vendit, të sigurisë, rendit e ligjit, në veçanti ndaj djemve e vajzave të Policisë së Kosovës, të cilët me plot guxim e profesionalizëm përballën sulmin e djeshëm terrorist”.

“Shpreha po ashtu, domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar ndaj gjuhës urrejtëse e luftënxitëse të Vuçiq kundrejt institucioneve dhe popullit të Kosovës. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sponzorizimin dhe strehimin e terroristëve”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas tij, në këto momente, maturia politike e Kosovës, vendosmëria në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe bashkërendimi me miq e aleat janë kruciale në përballjen e çfarëdo provokimi.

“Kosovës i duhet mençuri dhe vendosmëri në kapërcimin e gjendjes së tanishme. Mbi të gjitha, Kosovës i duhet vizion e unitet për rrugën përpara”, ka shkruar Abdixhiku.

Manuel Sarrazin ka takuar Abdixhikun në Selinë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si pjesë e vizitës emergjente në Kosovë pas ngjarjeve të fundit në veri.

Exit mobile version