Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka vazhduar vizitat në biznese të ndryshme në vend. Abdixhiku në një shkrim në Facebook ka thënë se problemet e tyre nuk marrin as përgjigje e as trajtime institucionale, sepse me biznese sot, sipas tij, s’ka kush të bisedojë.
Tutje, kreu i LDK-së ka thënë se se shteti ka bllokuar ekonominë dhe investimet kapitale.
“Do të takojmë secilin biznes prodhues në Kosovë. Do të flasim me ta; me secilin nga ta. LDK sot po dëgjon. Nesër, me njerëzit më profesionistë e më të mirë të vendit, do t’i japim zgjidhjet e domosdoshme për ta, punëtoret e tyre dhe për vet shtetin”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.
Postimi i plotë i kreut të LDK-së:
Në Karagaq të Pejës, vizitova një biznes shembull familjar në industrinë e mobilieve. ‘Mobile Karagaq’ që sot punëson 60 punëtorë nga kjo anë, eksporton mbi 90% të prodhimit të vet në Evropë.
Me Ferhad Zeqirin dhe ekipin e tij, biseduam për të gjitha sfidat që ai, biznesi i tij dhe të tjerë si ai i kanë sot. Furnizimi i rregullt me energji, vlerësimi i padrejtë i mallërave të importuara në vend, e oraret e papërshtatshme doganore, ishin disa nga çështjet që i shtruam me të. Problemet e tyre nuk marrin as përgjigje e as trajtime institucionale sot, sepse me biznese sot s’ka kush të bisedojë.
E pyeta dhe për punëtorë dhe ikjen e tyre nga Kosova. Na tha se për shkak të pagave të larta që i kanë aty, asnjë punëtor nuk ishte larguar nga biznesi i tij. Një mësim për bizneset e tjera them. Insistimi në paga të njëjta s’është përgjigje më.
Ikja është problem kombëtar, dhe mesiguri, me krizën e rëndë ekonomike në vend jo çdo biznes ka rritjen e pagave si mundësi – por zhvillimi ekonomik i yni arrihet njëmendtë kur shteti punon – për dhe me – sektorin privat, e ky i fundit – për dhe me – punëtorët që ka. Kur shteti nuk mbështetë njerëzit e vet – bizneset që ka – as këta të fundit s‘kanë se si t’i mbështesin punëtorët e vet. Në këtë cikël destruktiv, humbasim të gjithë.
Sot, po humbasim të gjithë. Shteti ka bllokuar ekonominë dhe investimet kapitale; bizneset së këndejmi janë në vështirësi; e punëtorët e vendit – njerëzit tanë – humbasin si përfundim.
Do të takojmë secilin biznes prodhues në Kosovë. Do të flasim me ta; me secilin nga ta. LDK sot po dëgjon. Nesër, me njerëzit më profesionistë e më të mirë të vendit, do t’i japim zgjidhjet e domosdoshme për ta, punëtoret e tyre dhe për vet shtetin.