Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media ka bërë të ditur rezultatet preliminare që ka pranuar nga komisionarët dhe vëzhguesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e që sipas tij janë rezultatet përfundimtare.
“Në këtë proces zgjedhor kanë marrë pjesë 871 mijë qytetarë. LDK-ja ka marrë 18.14%, VV-ja ka marrë 39.88%, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 21.84%, Koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës ka marrë 7.62%, Lista Familja ka marrë 1.5%, minoritetet dhe të tjerët kanë marrë 11.02%”, ka deklaruar Abdixhiku para gazetarëve.
Ai ka thënë se kjo ka qenë në kompetencë të LDK-së, por që s’është bërë me kohë.
“Ajo që do të duhej të bënte KQZ-ja, fatkeqësisht, nuk është bërë me kohë, prandaj po e bëjmë ne si Lidhje Demokratike e Kosovës. Dua t’i shpall rezultatet përfundimtare, të cilat janë marrë nga komisionarët dhe vëzhguesit e LDK-së. Këto janë rezultate preliminare dhe nuk përfshijnë votat e mërgatës dhe votat me kusht”.