Qeveria e Kosovës sot ka shfuqizuar vendimin e marr nga Qeveria Haradinaj që ia mundësonte Bechtel Enka-s edhe 50 milionë euro shtesë për ndërtimin e dy kyçeve dhe një mbikalimi në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se koha kur Kosova jep miliona pa bazë – 49.6 milionë euro më saktësisht, është e shkuar.
“Bechtel-Enken, ndërsa, e falënderojmë për punët e bëra deri më tani. Rrugëtimi ynë me dy autostradat e deritanishme përfundon sot. Për çdo angazhim tjetër në të ardhmen janë të mirëseardhur të konkurrojnë – barabartë me secilën palë tjetër”, ka shkruar Abdixhiku.
Postimi i plotë:
50 milionë.
Në maj të vitit të shkuar, Qeveria e kaluar, kishte marrë vendim – të paprecedentë – t’i zgjasë afat dhe t’i shtojë punë në mënyrë arbitrare konsorciumit Bechtel Enka. Pa tender, pa konkurrencë, pa ofertë – thjeshtë me një vendim. Konsorciumi ndërsa, i kishte kërkuar Kosovës plot 49.6 milionë euro shtesë për tri punë shtesë.
Koha kur Kosova jep miliona pa bazë – 49.6 milionë euro më saktësisht – është e shkuar. Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka ngritur këtë çështje urgjente në Qeveri. Qeveria ndërsa, sot, me të gjitha votat për e asnjë kundër, anuloj vendimin për këtë angazhim. Nga koha e vendimit të shkuar e deri më sot mund të jenë shkaktuar dëme financiare të cilat do t’i trajtojmë si shtet me ligj e dinjitet.
Bechtel-Enken, ndërsa, e falënderojmë për punët e bëra deri më tani. Rrugëtimi ynë me dy autostradat e deritanishme përfundon sot. Për çdo angazhim tjetër në të ardhmen janë të mirëseardhur të konkurojnë – barabartë me secilën palë tjetër.