Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se cilësia e ajrit në Kosovë është përmirësuar për 50 për qind.
Ai me anë të një shkrimi në Facebook ka thënë se kjo ka ardhur si rezultat i reduktimit të qarkullimit publik, nga ndalesat e bëra nga Qeveria e Kosovës pas përhapjes së pandemisë së Coronavirusit në vend.
“Si rezultat i reduktimit drastik të qarkullimit e aktivitetit publik, cilësia e ajrit nëpër qytetet tona është përmirësuar rrënjësisht, Përqendrimet e Dioksidit të Azotit (NO2) kanë rënë për plot 50 për qind”, ka shkruar ai.
Shkrimi i plotë
E në gjithë këtë krizë, megjithatë, ka një lajm të mirë. Si rezultat i reduktimit drastik të qarkullimit e aktivitetit publik, cilësia e ajrit nëpër qytetet tona është përmirësuar rrënjësisht, Përqendrimet e Dioksidit të Azotit (NO2) kanë rënë për plot 50%.
Këto janë të dhënat që morra sot nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Instituti Hidrometeorlogjik; të dyja trupa në kuadër të Ministrisë.
Rrini në shtëpi. Edhe pak.
Kur të dalim, të mendojmë seriozisht për transformim rrënjësor të transportit publik.