Site icon PrishtinaPress

Abdixhiku për përgjimet në Ministrinë e Infrastrukturës: Ka aferë korruptive, përgjegjësia i takon ministrit nëse…

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku nuk ka dyshim nëse ka aferë korruptive në përgjimet e publikuara, të cilat e implikojnë Florent Ramqajn, këshilltarin e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Abdixhiku tha se narracioni në përgjim përputhet tërësisht me veprimet që ndodhën.

“Për që ka aferë korruptive në këtë përgjim, ka. Sepse narracioni në përgjim dhe ekzekutimi i pagesave përputhen në plotëni. Pra, ka një narracion të përgjuar dhe një ekzekutim financiar që përputhet me narracionin. Tani këtu gjërat rastësisht s’ndodhin, 20, 10, 5 e kështu me radhë”, tha ai në ATV.

Tani, Abdixhiku thotë se është punë e Prokurorisë që ta zbardhë këtë çështje. Në rast se afera ndërlidhet me kabinetin e ministrit, Abdixhiku thotë se përgjegjësia është e Liburn Aliut.

“Këtë punë tani duhet ta marrë Prokuroria dhe këtë punë Prokuroria duhet ta zbardhë. Dhe në qoftë se ka ndërlidhje me kabinetin e ministrit, atëherë përgjegjësia është e ministrit. Në qoftë se dikush nga kabineti im është i përfshirë në afera korruptive, natyrisht se përgjegjësia më takon edhe mua”, tha ai.

Prokuroria tashmë ka nisur hetime pas publikimeve të publikuara nga “Nacionale”.

Siç shkruan mediumi, bëhet fjalë për ryshfet në të cilin përfshihet kompania e quajtur “Infratek” e në të cilin kishte punuar këshilltari i Liburn Aliut. Ai thuhet se ka lidhje familjare me pronarët e kësaj kompanie.

Shuma e ryshfetit të kërkuar, sipas mediumit është 30 mijë euro.

Exit mobile version