Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për mostransparencë lidhur me përmbajtjen e draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, raporton Gazeta Sinjali.
Abdixhiku gjatë fjalimit të tij në Kuvend është shprehur se presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Kurti kanë dhënë qëndrime kontradiktore për draft statutin e Asociacionit.
“Presidentja, si pranuese e po të njëjtit dokument, shpalos hezitimin e ngutisë për një cilësim të tillë. Dhe jo vetëm aq, njofton dërgimin e komenteve në Kushtetuese në rastin e parë, si shenjë e qartë e mospërputhjes me Kushtetutë. Kryeministri dhe presidentja kanë dhënë qëndrime kontradiktore. Derisa kryeministri pretendon se dokumenti është në përputhje me Kushtetutën, Presidentja shpalos hezitim. Debakël më të rëndë nuk mund të kesh”, tha kreu i LDK-së.