Site icon PrishtinaPress

Abdixhiku nis javën me vizita nëpër biznese: Kosova mundet më shumë

Lumir Abdixhiku ka nisur javën me një vizitë në një prej bizneseve familjare. Ai tregon për biznesin e kultivimit të arroreve nga familja Ibrahimi.

” Me plantacionin e tyre në Novobërdë e me shitoren e tyre në Ulpianë, ky biznes familjar arrin të prodhojë produkte vendore të shëndetshme – nga gjalpi e deri te vaji i lajthisë. Potenciali i tyre i rritjes dhe i eksportit është marramendës”, shkroi Abdixhiku.

Tutje, kreu i LDK-së tregon për politikat që kjo parti do t’i ketë në fokus për ndihmimin e bizneseve.

Postimi i plotë:

Javën e fillova me ciklin e vizitave në biznese familjare. Vizitova sot profesor Alixhemal Ibrahimin dhe djalin e tij Ervinin, të cilët tash e 3 vjet merren me përpunimin e arroreve, kryesisht lajthive, në biznesin e tyre familjar “Pelini’s”. I pari profesor i gjuhës shqipe, i dyti, magjistër i shkencave politike në Norvegji. Të dy, babë e bir, të përkushtuar në biznesin familjar të ri.

Me plantacionin e tyre në Novobërdë e me shitoren e tyre në Ulpianë, ky biznes familjar arrin të prodhojë produkte vendore të shëndetshme – nga gjalpi e deri te vaji i lajthisë. Potenciali i tyre i rritjes dhe i eksportit është marramendës.

Nga këto takime po kuptojmë sfidat e çdo biznesi – të madh e të vogël në Kosovë, sikurse ky sot. Shuarja e burokracisë, nxitja e punimit të tokës, nxitja e mbjelljeve, vjeljeve e grumbullimit të produkteve – më pas përpunimi e brendimi i tyre për tregje deri në Evropë, do të jenë disa nga politikat tona në sektor.

Në Kosovë ka pasur gjithmonë biznese familjare. Ato kanë qenë gjithmonë shpirti i ekonomisë vendore. Janë mbajtur familje, janë shkolluar fëmijë e u është dhënë mjaft shoqërisë. Tek to duhet ta kthejmë fokusin politik sot. Politikat e tjera, të ankimit në të shkuarën, sharjeve e fyerjeve, nuk bëjnë zgjidhje sot. Kosova mundet më shumë.

 

Exit mobile version