Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar Prekazin me rastin e 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se qëndresa e Jasharajve “ishte rilindje kombëtare”.
“Qëllimi i shuarjes së trungut familjar të Jasharajve, një çerek shekulli më parë, ishte qëllim i shuarjes së vet popullit shqiptar në Kosovë. Qëndresa e tyre atëherë, ishte rilindje e jona kombëtare. Rilindja e tyre sot, mes brezave të rinj pasardhës të Jasharajve, është qëndresë e jona që na mbanë përpara.
Sot, në përvjetorin e 25-të të Epopesë së UÇK-së, kujtojmë e nderojmë gjithë të rënët e lirisë. Nderojmë gjithë veteranët e invalidët e luftës sonë çlirimtare, dhe secilin kontribues në këtë rrugëtim tonin të shenjtë e triumfal”, ka shkruar Abdixhiku.