Lideri i LDK’së, Lumir Abdixhiku edhe një herë i ka bërë thirrje Kurtit që ta heq TVSH’në prej produkteve bazike në Kosovë, transmeton Reporteri.net.
Abdixhiku tha se në dy vitet e fundit, kostoja e jetesës ka qenë e papërballueshme për qytetarët e vendit si pasojë e inflacionit.
“Për dy vitet e fundit, goditja më e madhe që i është dhënë qytetarëve të tanë është kostoja e jetesës, përballueshmëria. Brenda dy viteve, prej ditës së parë të kësaj Qeverie e deri më sot, inflacioni i gjithëmbarshëm, mesatar është deri 20%. Ky inflacion nuk po them se ka ndodh pse erdhën këta, është krizë globale. Por këta s’bën asgjë ta përballojnë këtë inflacion”, tha lideri opozitar në T7.
Ai tha se LDK ka propozuar të hiqet TVSH’ja vetëm prej produkteve bazike të jetesës, jo për produktet e “lluksit”.
“Ne kemi fol për TVSH’në për produktet bazike. Përnime beson dikush në Kosovë që po e heqëm TVSH’në e miellit vajit, kolapson buxheti i Kosovës? Me heq TVSH’në e mielit, vajit, bukës, sheqerit, patateve, domateve nuk lë shenjë në buxhetin e Kosovës. Fare. Nuk kemi thënë hiqe TVSH’në krejt- të kafës, cigareve, alkoolit, produkteve të lluksit – kemi thënë produkteve bazike”.
“Këto janë masat e çdo vendi normal në Evropë”. /Reporteri.net/.