Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për mostransparencë lidhur me përmbajtjen e draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, raporton Gazeta Sinjali.
Abdixhiku tha se Kurti e ka pranuar draft statutin e Asociacionit, për të cilin tha se nuk ka shpalosur asnjë detaj se çka përmban dokumenti.
“Kryeministri paska vendosur t’i flasësh masës së vet. Behët fjalë për jetë të humbura, për një kauzë që është shuar nga ai. E kam vërtetë vështirë ta kuptoj kundërthënien në vazhdimësi, të llojit jam I gatshëm ta nënshkruaj, por s’e kam pranuar. S’mund ta kuptoj. E trishtë, ndjej keqardhje, por kjo nuk është brenga ime.
Nesër bëhen dy javë nga pranimi i draft statutit të Asociacionit, si një zotim i popullit të Kosovës, përkatësisht kryeministrit të Kuvendit.
Kryeministri ka pranuar një dokument që për herë të parë definon statutin e Asociacionit, ne vazhdojmë të jemi në terr informativ, që vazhdon të mos shpaloset. Kemi kërkuar qasje, por nuk na është siguruar ende.
Kryeministri dhe presidentja kanë dhënë qëndrime kontradiktore. Derisa kryeministri pretendon se dokumenti është në përputhje me Kushtetutën, Presidentja shpalos hezitim.
Debakël më të rëndë nuk mund të kesh.”, tha Abdixhiku në Kuvend.
Kryeministri Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten e javës së kaluar, kanë mbajtur takime të ndara me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Pas takimit Borrell ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk kanë pasur gatishmëri për pajtim në Bruksel rreth propozimit të ri evropiano-amerikan lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u është prezantuar palëve më 21 tetor.
Nga Qeveria e Kosovës kanë njoftuar se kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, duke e përfshirë edhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të prezantuar më herër nga diplomatët euroatlantikë.