Site icon PrishtinaPress

Abdixhiku: Kurti na etiketon si tradhtarë, nëse i ndodh diçka dikujt të LDK-së përgjegjësia është e tij

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, për të cilit ka thënë se e ka hedhur poshtë bashkëpunimin me partitë tjera në procesin e dialogut me Serbinë.

Abdixhiku ka thënë se Kurti i ka etiketuar opozitarët si tradhtarë dhe sipas tij, kjo është gjuhë e ndytë politike që nxit urrejtje dhe polarizim të shoqërisë.

“Jam i brengosur për fatin e vendit tim dhe fatin e vendit ku do të rriten fëmijët e mijë dhe tuaj, kjo është brenga ime. Por tani keni parasysh se përballë kam një njeri që vjen të raportojë në Kuvend dhe thotë që Vuçiq po ju kërkon juve. E tani kur Vuçiq të kërkon ty, të bën që ti je tradhtar, e për tradhtarët ka një alternativë, e që nuk është bashkëpunimi më së paku. Tani ne fillimisht duhet të shkojmë në shtëpi të ju themi fëmijëve që ne për besë nuk jemi me Serbinë teksa kthehen prej shkollave. Kjo është gjuhë e ndytë politike e një njeriu të humbur në hapësirë, i cili dëshiron të nxitë urrejtje e polarizim të shoqërisë”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku është shprehur se nëse një anëtari të LDK-së i ndodhë diçka si pasojë e kësaj gjuhe, atëherë përgjegjësia duhet të kërkohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kurti po atakon gjithë deputetët e gjithë strukturat politikë të LDK-së si tradhtarë. Si kryetar i LDK-së që jam nëse i ndodh diçka ndonjë njeriu të LDK-së për shkak të një gjuhe të tillë politike linçuese, përgjegjësinë duhet ta kërkoni vetëm te kryeministri i Kosovës”, ka deklaruar tutje kryetari i LDK-së në Debat Plus.

Exit mobile version