Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar ashpër pas kërcënimeve të pushtetit ndaj Sindikatave dhe punëtorëve grevist.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka thënë se Kurti po i mbulon dështimet e tij, me frikë e kërcënim.
“Ky është narracioni i një pushteti autokratik që deri dje premtoi mirëqenie e zhvillim, sot shpërndanë frikë e kërcënim. Kërkimi i listave të punonjësve në grevë nga ana e Qeverisë përveçse presion i drejtpërdrejtë ndaj punëtorëve të sektorit publik është dhe kërcënim ndaj proceseve demokratike në vend dhe vet shtetit juridik. Sot, shoqëria kosovare duhet të rreshtohet prapa mësuesve, mjekëve e shërbyesve publik që me plot të drejtë, në krizën më të madhe ekonomike, kërkojnë dialog, dinjitet e përballueshmëri”, shkruan ai.
“Këtë përballueshmëri ata se gjejnë dot. Ata kanë gjetur një kryeministër që me frikë e kërcënim, provon t’i mbulojë të gjitha dështimet e tij. Ndërprerja e kontratave të tyre, në këtë kohë krize, është goditja më e rëndë që një Qeveri mund t’u japë qytetarëve të vet. Kështu nuk duhet të duket Kosova demokratike, kështu nuk duhet të trajtohen punëtorët tanë. Kryeministri i premtimeve, që sot s’mund ta mbajë asnjë, po dëshmon, si çdo ditë, që është i paaftë për të menaxhuar me vendin, kërkesat qytetare e krizat e mëdha”, shtoi ai.