Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar themeluesin e kësaj partie, ish-presidentin Ibrahim Rugova, në përvjetorin e ditëlindjes së tij.
“Presidenti ka vetëm ditëlindje!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai vazhdoi duke treguar një historik të tij.
“78 vite më parë, më 2 dhjetor të vitit 1944, lindi Ibrahim Rugova, ati themeltar i shtetit të Kosovës e prijësi historik i lëvizjes më të madhe shqiptare për liri, pavarësi e demokraci. Rugova rrjedh nga një familje e përndjekur shqiptare. Shërbimet jugosllave i kishin vrarë dhe zhdukur babën dhe gjyshin e tij. Prandaj dhe ditëlindjet e tij të para ishin të vështira. Pasi kishte përfunduar shkollimin fillor në Istog, dhe atë të mesëm në Pejë, Ibrahim Rugova kishte vazhduar studimet në Prishtinë për të doktoruar aty në vitin 1984 në tezën me temë “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare: 1504-1983”. Para doktorimit, Rugova kishte marrë titullin e Këshilltarit Shkencor në Institutin Albanologjik; ndërkaq, në fund të viteve të 70-ta, nën mbikëqyrjen e Roland Barthes ndoqi studimet mbi letërsinë në Paris”.
Abdixhiku shkroi se studimet dhe krijimet e tij letrare u ndërprenë nga thirrja monumentale e shqiptarëve të Kosovës për të krijuar e udhëhequr lëvizjen më të madhe shqiptare në Kosovë, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Nga aty, thotë Abdixhiku, ai ndërtoi dhe la si trashëgimi rrugën e vetme për liri, pavarësi e demokraci.
“Kjo rrugë sot mbetet bindje për secilin prej nesh në LDK. Vlerat e bindjet e shtruara nga ai, do t’i kultivojmë në çdo hap të veprimit tonë politik. Në rrethanat e sotshme, sikurse në çdo rrethanë jetike deri tani, ato mbesin thjeshtë të pazëvendësueshme. Kosova shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me ShBA-të – mbetet qëllimi ynë”.
Në këtë datë të lindjes së tij, Abdixhiku së bashku me nënkryetarët, sekretarin dhe kryetaren e Forumit të Gruas vizituan familjen Rugova, bashkëshorten e tij, zonjën Fana dhe anëtarët e tjerë.
“Presidenti ka vetëm ditëlindje, prandaj dhe ky 2 dhjetor për ne ishte shënim me festë”./Prishtinapress/