Site icon PrishtinaPress

Abdixhiku: Kosova po sulmohet nga bandat, Kryeministri po i sulmon miqtë, kjo është gjendja

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në seancën e sotme të Kuvendit ku po debatohet për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, ka thënë se Kosova gjendet në një situatë të paprecedentë.

Ai tha se Kosova po sulmohet nga bandat, ndërsa ka akuzuar kryeministrin Kurti po i sulmon miqtë ndërkombëtarë.

“Sot po bëhet një javë nga sulmi jo i paprecedentë dhe jo i rrallë i bandave kriminale në Veri që kryeministri po i njeh me emër dhe mbiemër, por janë ende në Veri të paarrestuar. Por, ky po i njeh dhe po na ligjëron për to, por janë të lirë kundrejt institucioneve të Republikës së Kosovës, përkatësisht zyrave të kryetarëve në Veri”.

Abdixhiku këtu iu referua deklaratës së Kurtit që në këtë seancë përmendi me emra organizatorët e protestave të dhunshme në veri të vendit. 

Kreu i LDK-së tha se sulmi i nisur ndaj policisë nga banda që kryeministri i njeh, por s’i arreston, ndaj gazetarëve shqiptarë u shndërrua shpejt në sulm ndaj ushtarëve paqeruajtës të KFOR-it.

Në një përballje të tillë, Abdixhiku tha se anët e shpërfaqura kanë ndryshuar në substancë. 

“Në një situatë të pamenduar më parë, të paprecedentë dhe gjithsesi të rrallë, Kosova ende vazhdon të sulmohet prej këtyre bandave e kryeministri i Kosovës është në sulm fatkeq ndaj miqve dhe aleatëve tonë ndërkombëtarë. Kjo është gjendja sot. Si rrjedhojë pra, Kosova ka përfunduar e përballur me tension dhe me paaftësi për të ushtruar detyrat bazike kushtetuese të kryetarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike, por edhe me dënim, sanksione dhe penalizim ndërkombëtar.” 

Për reagimet e Sekretarit Blinken, të BE-së e NATO-s, Abdixhiku tha se u kthyen kundër Kosovës për një kauzë, të cilën ai e konsideron të drejtë, për shkak të veprimeve të Kurtit. 

“Këto reagime kundër shtetit tonë, kundër Republikës së Kosovës në një kauzë të drejtë janë si pasojë veprimit e keqveprimeve diplomatike dhe strategjike të një njeriu të vetëm – të atij që e mban postin e kryeministrit të Kosovës”.

Exit mobile version