Ka përfunduar takimi me gazetarë e opinionistë i thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një prononcim për media ka bërë të ditur se në këtë takim ka nisur një ide se si të dilet nga kriza në Kosovë.
“Tani jemi në fazën e konsultimit, kemi prezantuar disa pika të këtij plani. Sot e kemi nisur një ide se si të dalim nga kjo krizë”, ka thënë Abdixhiku.
“Besoj se do të jetë i njëjtë edhe me grupet e tjera të interesit dhe në fund do ta bëjmë publik planin”, ka shtuar ai.
I pyetur rreth idesë për Ballkanin e Hapur, ai ka thënë se është mirë që kjo iniciativë tashmë ka marrë fund.
“LDK ka pasur qëndrim të qartë sa i përket Ballkanit të Hapur, ka qenë projekt politik dhe duplifikim i Procesit të Berlinit”, ka thënë tutje ai.
Ndërsa sa i përket vizitës që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar se do ta bëjë në Prishtinë, i pari i LDK-së, ka thënë se natyrisht që Rama dhe cdo kryeministër i Shqipërisë është i mirëseardhur në Kosovë.