Ditëve e javëve të fundit është përfolur shumë për një çarje në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërmjet udhëheqësve të partisë dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili i fitoi zgjedhjet për Prishtinën nën logon e LDK.
Media dhe gazetarë kanë shkruar se Përparim Rama është bërë i padëgjueshëm ndaj kërkesave të partisë në menaxhimin e kryqytetit, duke krijuar një përplasje mes tij dhe anëtarëve të rëndësishëm të partisë.
Megjithatë, sot, Rama dhe Abdixhiku janë shfaqur të relaksuar së bashku. Një fotografi të tyre e ka publikuar zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, në lokalin “Soma”.
“Ditë me diell, sot – për Prishtinën e Kosovën”, ka shkruar Halimi.
Përparim Rama kishte nxitur një debat publik edhe me ish-kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, kur në një emision argëtues kishte thënë me mahi: “Kush është ky, a mos është këngëtar?”. Kjo kishte nxitur reagimin e Mustafës, i cili e kishte porositur atë që të fillonte me punë sa më shpejtë.