4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Abbott: Përfshirja e ShBA-ve në dialog është pozitive dhe ka shënuar progres praktik

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadorit Richard Grenell në procesin e dialogut Kosovë-Serbi është pozitive dhe ka shënuar progres praktik në këtë çështje. Diplomati anglez ka theksuar se çështjet në negociata me Serbinë nuk mund të zgjidhen pa angazhimin e Kosovës. Abbott ka qenë i ftuar në “FOL Hapur” ku ndër të tjera është përgjigjur edhe rreth tërheqjes së Bashkimit Evropian dhe ShBA nga procesi i përzgjedhjes në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ambasadori Abbott ka thënë se Mbretëria e Bashkuar e përshëndet marrëveshjen e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.

“Duhet ta pranojmë se përfshirja e ShBA-ve dhe të dërguarit special, Riçard Grenell, ka qenë pozitive dhe ka shënuar progres praktik sa i përket çështjeve të cilat janë të njohura për të gjithë. Natyrisht se ka nënkuptuar vëmendje më të madhe, përqendrim më të madh, dhe mendoj se tubimi i atyre njerëzve në Shtëpinë e Bardhë, i ka shpie ata më tej në rrugëtimin e tyre, më tej se sa që kishin arritur vetë. Kështu që mendoj se kjo në vetvete është gjë pozitive”, ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë Kosova ka fituar nga i gjithë angazhimi ndërkombëtar në këtë çështje.

“Marrëveshja e Uashingtonit përfshinë gjëra të ndryshme, në disa prej të cilave edhe Bashkimi Evropian është i përfshirë, siç janë projektet infrastrukturore, disa çështje që i përkasin politikës së jashtme, siç janë minishengeni, njohja nga Izraeli, çështje të tilla. Sa i përket përfitimeve, Kosova ka fituar nga i gjithë ai angazhim ndërkombëtar. Ju e dini më mirë, unë jam në Kosovë që një vit, ka një histori jo vetëm të marrëdhënieve, por edhe të normalizimit dhe negociatave. Negociata është kur dy palë kanë çështje të ndryshme që duhen zgjidhur dhe duhet gjetur mënyrën për ta bërë këtë. Ato çështje nuk do të zgjidhen vetvetiu, pa u angazhuar Kosova. Nganjëherë mendoj se ekziston një supozim se komuniteti ndërkombëtar do të sjell disi një zgjidhje, mendoj se kjo nuk qëndron. E kuptoj pse disa duan ta besojnë këtë, por nuk besoj se do të jetë ashtu”, ka thënë Abbott.

Ndërsa lidhur me tërheqjen e Zyrës së BE-së dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë nga proceset e përzgjedhjes në Këshillin Prokurorial, Abbott ka thënë se duhet të ketë më shumë transparencë dhe meritokraci në përzgjedhje.

“Shqetësimi im, apo ajo çfarë po mundohemi të bëjmë, është të kemi më shumë transparencë, më shumë meritokraci në përzgjedhje. Paraardhësi im kur ka folur me ju ka qenë i qartë, kjo nuk ka të bëjë me të besuarit se mund të krijohet një proces neutral politik, Kosova është një vend i vogël. Përkatësia dhe identifikimi partiak është mjaft i rëndësishëm, dhe luan rol, por çështja është më shumë tek mos luajtja e rolit në takime. Për të siguruar se ka transparencë në punësim, se sistemi nuk është i manipuluar, dhe se procesi nuk do të thotë se njerëzit i kanë borxh dikujt jashtë institucioneve, të cilëve duhet shpaguar borxhin më vonë. Kjo është sa i përket Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe çështjeve rreth saj”, ka thënë ai./kp/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img