Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, i cili sot ka vizituar Kosovën me ftesë të ftesë të kryetarit të Aleancës Kosovare e Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka dhënë një intervistë ku ka folur edhe për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Abazoviq, i cili ishte i ftuar në emisionin Rubikon në Klan Kosova ka thënë se marrëveshja Kosovë-Serbi, që u bë në Ohër, ka implikime të mira në të gjithë rajonin.
“E përsëris mendimin tim dhe të qeverisë, por sidomos mendimi tim persona, se arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë ka një implikim të mirë në të gjithë rajonin. E kuptoj se kjo është çështje mes dy shtetesh, dhe ne nuk kemi ambicie për të hyrë aty dhe të përzihemi, dhe as nuk na takon. Vetëm si dikush që është me të vërtet mik, vëlla, kush ia do të mirën, mendoj se do të kishte qenë shumë mirë për t’u arritur marrëveshja përfundimtare. Do të kishte qenë boost i madh për të gjithë”.
Po ashtu Abazoviq ka thënë se sa më parë që Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës, aq më mirë për të gjithë.
“Realiteti është ky (marrëveshja përfundimtare me njohje), vetëm se është në pyetje se si do të arrihet kjo, dhe sa kohë do të shkojë deri në arritjen e marrëveshjes. Sa më pak kohë, aq më mirë, sa më shumë, të gjithë do të jenë më të lodhur. Unë e shoh çka ka qenë në tavolinë, sa kemi mundur të shohim në media e nga kontaktet me ndërkombëtarë, normalisht edhe me përfaqësuesit e të dy palëve. Unë kam takuar edhe kryeministrin e Kosovës në Shkup, kam takuar edhe presidentin e Serbisë, dhe atë që mendoj unë, jam më se i sigurt se kjo formë mund të jetë një hap i madh përpara për me shku drejt një marrëveshjeje ndërkombëtare. Çka i duhet Kosovës? I duhet njohja ndërkombëtare, integrimi në organizata ndërkombëtare. Kjo pra është, dhe ta relaksojë çështjen edhe me Serbinë. Në anën tjetër, normalisht se ndoshta duhet disa të drejta më shumë t’i jepen komunitetit serb në Kosovë. Nuk e shoh as atë problematike, nuk është diçka që nuk ekziston në shtete tjera, por mendoj se aty duhet të gjendet një kompromis minimal dhe të shkohet drejt një përfundimi për të cilin besoj se do të kishte qenë shumë i suksesshëm për të gjithë”, deklaroi Abazoviqi./PrishtinaPress/