Një deklaratë e kryeministrit të Malit të Zi, Abazoviç në mbështetje të kreut të qeverisë së Kosovës, Albin Kurti në lidhje me asosacionin e komunave serbe, nuk ka kaluar pa vëmendje.
I ftuar më herët në emisionin “Top Story” të Grida Dumës, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka ofruar pikëpamjet e tij politike mbi situatën në Ballkan dhe në Mal të Zi.
Pyetjes sugjestive se “Rama mbahet për kozmpolit, megjithatë akuzohet si i korruptuar, ndërkohë që Kurti është nacionalist dhe nuk ka akuza të tilla”, Abazoviç iu përgjigj: është një tjetër arsyetim kur bëhet fjalë për vendet jashtë ish Jugosllavisë. Pas vlerësimeve për Ramën në arenën ndërkombëtare, ai tha: Nacionalizmi është shndërruar në vegël kontrolli të politikanëve të korruptuar… dhe se “çdo herë që të korruptuarit kanë nevojë të nxisin tensione, e shfrytëzojnë këtë të fundit.” Sipas tij, retorika nacionaliste në ish-Jugosllavi, sidomos në Mal të Zi, shërben si maskë apo mbulojë e axhendave dhe interesave personale. Po ashtu përkujtoi se Mali i Zi është shtet multietnik dhe multifetar, pa grup homogjen, dhe në një shoqëri të tillë të drejtat duhet t’u garantohen të gjithëve në mënyrë të barabartë. Aq më shumë dikush si ai – një politikan që etnikisht i takon minorancës shqiptare- duhet të punojë në favor të barazisë së të drejtave.
I pyetur në lidhje me mendimin e tij mbi homologun e tij nga Kosova, Albin Kurtin, theksoi se për të ka mendim pozitiv, madje shtoi se ka edhe simpati për luftën e tij kundër korrupsionit. Më tej veçoi se mbështet qasjen qytetare të Kurtit në Kosovë, sidomos në lidhje me problemet aktuale me të cilat po përballet. Abazoviq tha se përkrah idenë e Kurtit në çështjen e asociacionit të komunave serbe, e cila sipas tij, nuk duhet të jetë e përkufizuar në baza etnike, pasi kjo pasi do shtonte përçarjet dhe do thellonte ndasitë. Ai përfundoi se ‘në Kosovë nuk mund të ketë komuna të cilat janë serbe apo shqiptare’, pasi ato të gjitha janë të barabarta si komuna të cilat u takojnë qytetarëve pa dallim. Sipas këtij arsyetimi, kjo qasje e Kurtit është pozitive për rajonin.