Mali i Zi është në krizën më të thellë institucionale që kam parë ndonjëherë, tha ditë më parë për Zërin e Amerikës, zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar.
Por, ndryshe mendon Kryeministri në mandatin teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili kërkoi shpjegim më të hollësishëm se çfarë nuk po funksionon në shtetin të cilin ai (teknikisht) e drejton.
“Nuk e di çfarë po ndodh në Mal të Zi, dhe dua që dikush të më tregojë se cila pjesë e sistemit në Mal të Zi nuk po funksionoka”, ka thënë ai, siç e citoi Danas.
Pyetur rreth deklaratës së ministres së jashtme sllovene se Mali i Zi është bërë kancer i integrimit të hershëm evropian, Abazoviq beson që deklarata e saj është “shumë e fortë”.
“Ju e dini, njerëzit po provojnë të pozicionojnë veten politikisht. Nuk ka asgjë jolegjitime”, tha ai në televizionin “A plus”.
Çfarë tha Escobar për krizën në Mal të Zi?
“Mali i Zi është në një kolaps institucional që vështirë se e kam parë ndonjëherë në një shtet tjetër”, tha I Dërguar i Posaçëm i ShBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Escobar tha se Mali i Zi është në një krizë të thellë institucionale dhe se ShBA’ja ka paralajmëruar “për shumë pasoja” nëse Mali i Zi nuk i zgjedh krizat që po ngjanë qe shumë muaj.
“Mali i Zi është në një krizë shumë të thellë. Është afër një kolapsi institucional që nuk e kam parë pothuajse në asnjë vend. Nuk ka qeveri. Dy qeveri kanë rënë dhe nuk ka pasur përparim në formimin e një tjetër. Ato nuk kanë kuorum në Gjykatën Kushtetuese që mund të konfirmojë zgjedhjet e reja”, tha Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë vizitës së tij në Beograd.
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit përkujtoi se mandati i presidentit Milo Gjukanoviq skadon në pranverë. Kryetarja e Parlamentit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, ka shpallur së fundmi zgjedhjet presidenciale të 19 marsit.
“Mund të ndodhë që të mos kenë presidentin që t’i besojë mandatin, të mos kenë qeverinë për të ecur përpara dhe Gjykata Kushtetuese të miratojë të gjitha vendimet dhe të konfirmojë rezultatet e zgjedhjeve”, theksoi Eskobar.
Zyrtari amerikan ritheksoi se detyra kryesore është plotësimi i menjëhershëm i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, “dhe më pas të shkohet në zgjedhje”.
“Ata duhet të fillojnë me Gjykatën Kushtetuese. Dhe përtej kësaj, ne besojmë, dhe sondazhet tregojnë se shumica dërrmuese e qytetarëve duan zgjedhje të reja. Dhe këtu duhet të fillojnë.”
Escobar, duke iu referuar opinionit të Komisionit të Venecias, tha se çdo ide se “Kushtetuta ndryshohet me shumicë të thjeshtë” është shumë e rrezikshme.
“Ne kemi thënë tashmë se nuk jemi të sigurt se do të ishte një qeveri e vlefshme me kushtetutë. Nuk jemi të sigurt se mund të mbështetemi në vendimet e një qeverie të tillë. Ne i inkurajuam ata të mos e bëjnë këtë,” përfundoi Escobar.
Në fund të dhjetorit, shumica parlamentare e shpalli liderin e DEMOS-it, Miodrag Lekiq, mandatar për përbërjen e Qeverisë së re të Malit të Zi, bazuar në ndryshimet kontestuese të Ligjit për Presidentin, të miratuar më parë nga Kuvendi, pavarësisht opinionit negativ të Komisionit të Venecias.
Zyrtarët e SHBA dhe Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar se një qeveri nuk duhet të zgjidhet bazuar në ato ndryshime./insajderi