Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi ka thënë se më nuk e përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje në Kuvend. Abazi së fundmi është përjashtuar me vendim nga Grupi Parlamentar i VV-së.
Abazi, duke folur në DPT te Fidan Jupolli ka thënë se ende nuk e ka të qartë se si është prishur raporti i shëndoshë që e kishte në Qeverinë Kurti I, ku ishte zëvendëskryeministër.
“Me vendimin për përjashtimin nga GP, nuk reprezentoj më Vetëvendosjen. Jam deputet i pavarur. As sot nuk e kam të qartë, se përse nga një raport i shëndoshë në Kurti I kemi kaluar në një luftë speciale në zgjedhjet e dyta për të më eliminuar nga pozita e deputetit”, ka thënë Abazi.
Deputeti Abazi ka deklaruar se ka njerëz rreth Kurtit dhe me Kurtin që kanë bërë luftë speciale kundër tij.
Ai ka thënë se arsyet mund të jenë konceptuale.
“Ka shumë spekulime se përse janë vendosur në një pozicion të tij, por mendoj se është konceptual dhe ideologjik, sepse është konsideruar që unë nuk mund të përfaqësoj konceptin e VV-së”, ka thënë Abazi.
Duke mos përmendur emra, Abazi ka thënë se VV e ka reduktuar fitoren e saj të madhe në udhëheqje nga njerëz që kanë probleme me ligjin.
“Një lëvizje që fiton Krejt dhe Drejt dhe fiton 50%, e redukton udhëheqjen e grupit parlamentar në njerëz që kanë probleme me ligjin dhe janë parashutistë në VV”, ka thënë mes tjerash gjatë emisionit ai.