Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkon nga kryeministri Albin Kurti garanci që Asociacioni I komunave me shumicë serbe mos të ketë kompetenca ekzekutive.
Në partinë opozitare të Ramush Haradinajt i mirëpresin kushtet e vendosura për Asociacionin, por thonë se janë më hezitues ndaj deklarimeve të pushtetit, andaj konsiderojnë se duhet të merren për bazë më shumë zotimet amerikane, ku potencohet se nuk do të lejojnë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe të krijohet një pushtet i tretë.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj thotë për KosovaPress se e kanë përkrahur marrëveshjen bazë me Serbinë, por shton se duhet kujdes në aneksin e zbatimit që gjithçka të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të respektohet sovraniteti dhe integriteti i vendit.
“Po kërkojmë garanci që (Asociacioni) të mos ketë kompetenca ekzekutive, të mos ketë një pushtet të tretë në Kosovë dhe të respektohet Kushtetuta. Është një verdikt i Gjykatës Kushtetuese dhe këtë po e kërkojmë. Në parim ne si parti opozitare e kemi përkrahur planin franko-gjerman dhe gjithmonë kemi kërkuar që mos të ketë dialog teknik, por të kalohet në dialog politik dhe të trajtohen çështjet…”, thotë ajo.
Deputetja opozitare e sheh si të dobishme edhe pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Ajo kërkon që takimin e radhës të nivelit të lartë të nënshkruhet deklarata për të zhdukurit me dhunë. Në anën tjetër, Kadrijaj rendit ato, të cilat i quan dështime të Kosovës në politikën e jashtme.Ndërkaq, në dyvjetorin e punës së Qeverisë Kurti, Kadrijaj thotë se s’ka asnjë rezultat konkret, ku mund të theksohet puna e tyre.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë kësaj jave ka thënë se kanë pesë kritere që sipas tij, vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë nuk do të jetë Asociacion me kompetenca ekzekutive. Mes tjerash, ai ka përmendur harmonizimin me marrëveshjet e vitit 2013-2015, vendimin e Gjykatës
Kushtetuese të vitit 2015 për statutin e Asociacionit dhe një letër të ish shefes së diplomacisë së BEsë, Frederica Moghereni, ku zotohet se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive./PrishtinaPress/