AAK: Dinari mos të bëhet mollë sherri drejt BE-së, VV-ja thotë se qytetarët serbë përfitojnë lehtësira nga BQK
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thekson se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po krijon çështje që janë në dëm të qytetarëve, siç është çështja e dinarit.
Nga ana tjetër Lëvizja Vetëvendosje thotë se në Bruksel guvernatori ka sqaruar për lehtësirat për qytetarët në atë pjesë të veriut, raporton Ekonomia Online.
VV-ja ka përmendur lehtësirat që po u mundëson Banka Qendrore sa i përket këmbimit valutor, ndërkaq nga AAK-ja kërkojnë më shumë kujdes, në mënyrë që kjo temë të mos bëhet “mollë sherri” në rrugëtimin drejt integrimit Evropian, transmeton Klankosova.tv.
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se çështja e dinarit nuk është dashur të diskutohet fare në Bruksel, pasi Kosova që nga viti 2002 operon me valutën euro. Ai thotë se qeveria po krijon tema që e pengojnë përparimin e Kosovës.