Site icon PrishtinaPress

AAK beson që vendimi përfundimtar për Haradinajn do të merret nesër

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pret një vendim pozitiv dhe përfundimtar të enjten nga gjykata franceze për udhëheqësin e saj, Ramush Haradinaj.

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka thënë se nesër pritet që të merret vendimi për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili që nga 4 janari po mbahet në Francë, ku është ndaluar në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga shteti serb.

Një vendim i tillë ishte pritur të merrej në mars, por ishte shtyrë për 6 prill për shkak se Serbia kishte ofruar prova të reja në synimin për ekstradimin e ish-komandantit të UÇK-së, të cilin e akuzon për krime lufte.

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, në një prononcim nga Franca për KALLXO.com tha se AAK pret një vendim pozitiv nesër.

“Ajo çka presim ne është që përgjigja të jetë pozitive dhe Haradinaj të jetë i lirë në punën e tij dhe të kthehet në Kosovë”, tha Nitaj.

Ai ka sqaruar situatën e nesërme. Sipas tij nesër duhet të përfundohet e gjithë kjo procedurë.

“Seanca e nesërme është seancë përfundimtare, fjala e prokurorisë dhe palës mbrojtëse. Tash gjithçka varet nga trupi gjykues nëse do ta shpallë vendimin nesër apo do ta shpallë vendimin pas një kohe të caktuar, por ajo çka mund të them unë është që shqyrtimi I krejt lëndëve dhe materialeve përfundon nesër”, tha Nitaj.

Gazeta ka provuar të kontaktojë gjatë ditës edhe me avokatin e Haradinajt, Arianit Kocin, por nuk ka arritur.

Ramush Haradinaj është arrestuar më 4 janar të këtij viti nga autoritetet franceze. Me kërkesë të grupit parlamentar të AAK-së, Kuvendi i Kosovës ka shtyrë seancën që ishte paraparë të mbahej nesër për shkak të seancës së Haradinajt.

Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute ka pezulluar bisedimet me Serbinë, deri në lirimin e plotë të Haradinajt. /kallxo.com

Exit mobile version