Site icon PrishtinaPress

A u shtrenjtuan derivatet për shkak të mërgimtarëve? Flet kreu i Shoqatës së Naftëtarëve

Një litër dizel po shitet 1.5 euro në pikat e shitjes me pakicë në Kosovë, përderisa benzina 1.48 euro.

Çmimet e derivate të naftës në vend janë rritur dukshëm muajin e fundit, në periudhën kur në Kosovë vijnë mërgimtarët për pushime.

Ish-ministri i Tregtisë: Bizneset po i shtrenjtojnë çmimet për shkak të mërgimtarëve

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka deklaruar për “Front Online” se nafta u shtrenjtua në kohën kur mërgimtarët janë në pushime në Kosovë.

“Është shumë e vërtetë. Edhe në artikujt e tjerë nëse e shikon para një muaji e gjysmë, tjera çmime i kemi pasë në markete tona, tani kemi tjera çmime. Nuk ka diçka tjetër që ka ndikuar për me i ngritë, përveç kësaj që bizneset tona e shfrytëzojnë maksimumin kohën kur janë mërgimtarët”, thotë ai për Front Online.

Krasniqi ka shtuar se duhet rregullore jo vetëm për derivate të naftës, por edhe për produkte ushqimore.

“Autoriteti i Konkurrencës duhet të merret me të gjitha produktet, jo vetëm me derivatet e naftës. Edhe Ministria e Industrisë dhe Tregtisë duhet të bëjë udhëzim jo vetëm për derivate të naftës, por edhe për çmime të tjera”, u shpreh ai për Front Online.

Berjani: Vetëm Maqedonia e Veriut i ka çmimet më të lira të derivateve të naftës

Por me ish-kreun e MTI-së nuk pajtohet kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani. Sipas tij, rritja e çmimit të derivateve të naftës po ndodhë për shkak të reduktimit të prodhimit.

Ai në një prononcim për Front Online thotë se Kosova i ka çmimet më të lira, pas Maqedonisë Veriore.

“Pse janë çmimet në këtë kohë më të larta, ka reduktim të prodhimit. Kur kemi reduktim të prodhimit kërkesat janë të mëdha në tregjet ndërkombëtare dhe kemi rritje të çmimit. Qytetarët tanë janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion, përveç Maqedonisë Veriore e cila e ka akcizën më të ulët për 22 cent, ndërsa benzinën e kanë si ne”, u shpreh ai për Front Online.

Më 28 korrik, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) vendosi caktimin e çmimit tavan dhe masave të tjera mbrojtëse për produktet e naftës.

Sipas këtij vendimi, marzha maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është 2 centë për litër, ndërkaq tavani i lejuar për shitjen me pakicë është 12 centë për litër.

Vendimi do të jetë në fuqi për një muaj.

Exit mobile version